ELBASAN- 13 persona janë vënë në pranga pas një operacioni të zhvilluar në Elbasan. Arrestimi i 13 personave ka ardhur pasi ata mashtronin të huaj nëpërmjet telefonit për të investuar në bursa fiktive.
Policia vën me dije se në lidhje me këtë operacion janë proceduar penalisht 5 persona. Gjithashtu është shpallur në kërkim administratori i call center-it. Administratori i shpallur në kërkim akuzohet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Policia ka sekuestruar njësi kompjuterike, celularë, 2 laptopë dhe 1 DVR.
Njoftimi i plotë:
DVP Elbasan/ Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacioni policor i koduar “Fictitious”. Mashtronin shtetas të huaj, mnëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 13 shtetas, procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë.
Shpallet në kërkim administratori i subjektit call center ku kryhej kjo veprimtari e paligjshme. Sekuestrohen njësi kompjuterike, celularë, 2 laptopë dhe 1 DVR, që i shërbenin kësaj veprimtarie. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një pune hetimore profesionale, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fictitious”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe, A. C., 24 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim; -nisi procedimi penal për shtetasit: J. L., D. Ç., M. L., Dh. Z., dhe L. T., për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. D., 45 vjeç, administratori i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR, nëpërmjet të cilëve ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme. Këta shtetas telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.