Fushata zgjedhore në Kosovë është një garë milionëshe. Ndonëse partitë politike janë të obliguara t’i raportojnë shpenzimet, vëzhguesit e zgjedhjeve ngrenë shqetësime për transparencën e donacioneve që ato marrin. Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milionë euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.
Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar. Rregullorja specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.
Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë 0.50 centë për votues.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit, numri i votueseve të regjistruar është 2.075.868. Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht qysh më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit. Me fillimin e saj, partitë në garë kanë nisur edhe zyrtarisht shpenzimin e parave.
Shpenzimet përfshijnë para për marketingun politik në televizione, rrjete sociale, shërbime të teknologjisë së informacionit, udhëtime, tubime me kandidatë, karburante, punësim të stafit të nevojshëm për fushatë, logjistikë, ndriçim dhe sistem të zërimit për salla.
Duke analizuar një periudhë prej 30 ditësh, del se shpenzimet për fushatë në Facebook, disa garues i kanë nisur para fillimit zyrtar të saj.
Si i sigurojnë paratë partitë politike?
Përpjekje të reja pritet të ketë në muajt në vazhdim. Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike e kishte vlerën e njëjtë edhe vitin e kaluar: 4.8 milionë euro. Ndarja bëhet në bazë të përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Kosovës, që ka gjithsej 120 ulëse.
Sa përfituan partitë vitin e kaluar?
Nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik, përfitoi 2.2 milionë euro. Partia Demokratike e Kosovës mori mbi 760 mijë euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 640 mijë euro dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 320 mijë euro. Dhjetë partive të tjera të përfaqësuara në Kuvend iu ndanë nga më pak se 100 mijë euro.
Sa janë donacionet?
Me Rregulloren për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, partitë politike kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë nga persona fizikë dhe juridikë.
Cakolli: Raportet nuk paraqesin gjendjen reale
“Një faktor që i shtyn kompanitë të mos i japin zyrtarisht donacionet, është ekzistimi i një dispozite ligjore, sipas së cilës, kur një kompani ofron donacion për një parti politike, ajo nuk mund të marrë kontrata publike për një periudhe së paku trevjeçare pas përfundimit të kontratës, si nga ana e institucioneve qendrore, ashtu edhe atyre lokale”, shpjegon Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Kjo, shton ai, “i dekurajon bizneset që të japin donacione në mënyrë formale”, porse kontributi i tyre në forma të ndryshme, nuk mungon.
“Ka raste që pronarë të restoranteve, sallave apo kompanive që ofrojnë shërbime apo produkte të caktuara, u japin partive politike mjete pa pagesë. Për shembull, salla e restorantit lëshohet pa kompensim, ose ndriçimi, zërimi apo produkte të ngjashme ofrohen pa pagesë”, thotë Cakolli.
Me ligj, subjektet politike garuese në zgjedhje obligohen të dorëzojnë në KQZ raportin financiar të fushatës zgjedhore, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare./REL