Ndeshja Napoli-Juventus u ndez plotësisht pas barazimit të Anguissa në pjesën e dytë, pas avantazhit të shënuar nga Kolo Muani në 45 minutat e para. Tensioni në “Maradona” ishte në kulm, me emocione nga të dyja skuadrat. Por për një moment, arbitri Chiffi u detyrua të ndërhynte për të ndarë fizikisht dy rivalët e 90 minutave Romelu Lukaku dhe Federico Gatti. Ai që fillimisht dukej si një duel normal loje mes sulmuesit të Napolit dhe mbrojtësit të Juventusit, u shndërrua në një përplasje të ashpër, duke e detyruar arbitrin të qetësonte situatën.
Si nisi konflikti Lukaku-Gatti?
Gjithçka filloi pas një topi të gjatë nga Di Lorenzo në drejtim të qendërsulmuesit të Napolit Lukaku. Gatti, i cili që nga fillimi i ndeshjes nuk iu nda belgut, tentoi ta parandalonte, por përfundoi duke bërë faull. Deri në atë moment gjithçka ishte normale, por kur ish-lojtari i Interit e Romës mbeti i shtrirë në tokë, Gatti tentoi ta ndihmonte të ngrihej, ndoshta në një mënyrë disi të ashpër. Kjo duket se e acaroi shumë sulmuesin. Lukaku u ngrit i tërbuar duke kërkuar llogari nga mbrojtësi i Juventus. Nga lëvizja e buzëve të belgut lexohej qartë pyetja e tij: “A je çmendur?”.
Përplasja mes Lukaku dhe Gatti gjatë Napoli-Juve
Ishte një moment tensioni mes dy lojtarëve që që nga minuta e parë kanë pasur duele të forta fizike dhe taktike. Nga ajo që u pa në fushë, Gatti kishte detyrën e veçantë për të ndjekur belgun Lukaku në çdo hap, një vendim taktik i qartë nga Thiago Motta. Mbrojtësi bardhezi u përpoq ta ngrinte belgut për të minimizuar kontaktin, por ky gjest u interpretua ndryshe nga sulmuesi i Napolit, duke çuar në një debat verbal që u ndërpre menjëherë nga arbitri.
Lexo më tej: Napoli përmbys Juventusin: Anguissa e Lukaku i japin humbjen e parë teknikut Motta
Lukaku shënoi golin e fitores 2-1
Pas këtij episodi, Lukaku u bë protagonisti absolut i ndeshjes duke fituar dhe ekzekutuar penalltinë vendimtare për Napolin. Pas një faulli të Locatelli-t ndaj McTominay, belgu mori përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe ishte i saktë, duke e mposhtur portierin Di Gregorio, i cili më parë kishte bërë një pritje spektakolare ndaj një goditjeje me kokë të Lukaku. Goli i belgut për 2-1 ishte një goditje e rëndë për skuadrën e Thiago Motta, i cili u detyrua të bënte ndryshime të menjëhershme, duke aktivizuar pa sukses Mbangula, Douglas Luiz dhe Conceicao.