Real Madrid vijon dominimin në La Liga, duke fituar 3-0 në transfertë ndaj Valladolid në javën e 21-të, falë një trigolëshi nga Kylian Mbappé (30’, 57’ dhe 91’). Me këtë fitore, madrilenët shkojnë në kuotën e 49 pikëve, 4 më shumë se Atletico Madrid, që u ndal në barazimin 1-1 në “Metropolitano” ndaj Villarreal (Samuel Lino barazoi pas golit të Gerard Moreno). Edhe ndeshja mes Sevilla dhe Espanyol përfundoi me shifrat 1-1, me golin e mbrojtësit shqiptar Kumbulla, ndërsa Betis triumfoi minimalisht 1-0 në fushën e Mallorca.
REAL VALLADOLID-REAL MADRID 0-3
Real Madrid fitoi lehtësisht 3-0 ndaj Valladolid në transfertë, duke forcuar pozitat në krye të renditjes. Megjithëse vendasit nisën mirë, madrilenët morën kontrollin dhe zhbllokuan sfidën në minutën e 30′: një kombinim perfekt mes Mbappé dhe Bellingham, që u finalizua me një goditje të saktë nga francezi për 1-0. Skuadra e teknikut Ancelotti vazhdoi të dominojë, por pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol diferencë.
Lexo më tej: Ancelotti i tërbuar pas fitores 5-1 të Real Madrid: “Mungesë respekti ndaj meje”
Në pjesën e dytë, “Los Blancos” shtuan presionin dhe dyfishuan avantazhin në minutën e 57′, pas një kundërsulmi të shpejtë nga Bellingham e Rodrygo, e të finalizuar nga Mbappé. Në kohën shtesë, francezi realizoi trigolëshin personal nga pika e bardhë, pas një faulli ndaj Bellingham, që solli edhe përjashtimin e Martin. Me këtë fitore, Real Madrid ngjitet në 49 pikë, ndërsa Valladolid mbetet i fundit me 15 pikë.
SEVILLA-ESPANYOL 1-1
Sevilla nuk arriti të marrë më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi kundër Espanyol. Skuadra e teknikut Pimienta e nisi mirë ndeshjen, por u ndëshkua në minutën e 15′ nga mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla. Andaluzianët reaguan menjëherë dhe ishin pranë barazimit në minutën e 24′, por goditja me kokë e Badé u ndal në shtyllë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Espanyol. Në pjesën e dytë, Badé u bë protagonist: fillimisht i anulohet një gol nga VAR-i në minutën e 55′, por në të 61′ më në fund barazoi shifrat pas një asistimi nga Sow. Sevilla vazhdoi të sulmojë, por Espanyol mbrojti fort dhe siguroi një pikë të vlefshme. Sevilla ngjitet në 27 pikë, ndërsa Espanyol mbetet në zonën e rënies me 20 pikë.
ATLETICO MADRID-VILLARREAL 1-1
Pas humbjes së papritur ndaj Leganes, Atletico Madrid kërkonte të rikthehej te fitorja për të ndjekur Realin. Simeone la fillimisht në stol Griezmann dhe De Paul, duke aktivizuar Correa dhe Julian Alvarez. Megjithatë, ndeshja nisi keq për vendasit, pasi një penallti e shkaktuar nga Renildo u shndërrua në gol nga Gerard Moreno në minutën e 30′. Villarreal ishte pranë golit të dytë në pjesën e dytë, por Witsel dhe Le Normand shpëtuan situatën. Atletiko u përpoq të reagonte dhe barazoi me Samuel Lino në minutën e 58′. Pas barazimit, Simeone hodhi në fushë Griezmann, i cili ishte afër golit të fitores, por portieri Reis Junior bëri një pritje të shkëlqyer. Ndeshja u mbyll 1-1, duke e lënë Atletico Madrid në vendin e dytë me 45 pikë, ndërsa Villarreal shkon në kuotën e 34 pikëve.
MALLORCA-REAL BETIS 0-1
Në stadiumin “Son Moix”, Mallorca humbi 1-0 ndaj Betis në minutat e fundit të ndeshjes. Pjesa e parë ishte e zbehtë, me një rast të rrezikshëm nga Samu Costa, i cili u ndal nga portieri Adrian. Situata u ndërlikua për vendasit në minutën e 73′, kur Mascarell u ndëshkua me karton të kuq. Në sekondat e fundit, në minutën e 96′, Bakambu realizoi me kokë golin që vendosi sfidën. Me këtë fitore, Betis shkon në 28 pikë, ndërsa Mallorca mbetet në kuotën e 30 pikëve.
LaLiga Spain
Mallorca 0-1 Real Betis
Atletico Madrid 1-1 Villarreal
Sevilla 1-1 Espanyol
Real Valladolid 0-3 Real Madrid