TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka pranuar kërkesën e paraqitur nga avokati i kreut të PD-së, Sali Berishës për të mos u paraqitur më 3 shkurt në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Kërkesa është paraqitur nga avokati i tij gjatë seancës paraprake dhe është miratuar ditën e sotme nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Arsyeja e mosparaqitjes është se Berisha do të udhëtojë në Gjermani, për një takim pune me ftesë të CDU. Kjo ftesë mësohet se është dorëzuar e përkthyer nga ana e noterit.
Berisha do të paraqitet në SPAK, të hënën e tretë të muajit shkurt. Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi tre javë më parë kërkesën e SPAK për caktimin e masës “arrest shtëpie” ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha duke vendosur masën “detyrim paraqitje” dy herë në muaj. Berisha është liruar nga masa “arrest shtëpie” më 27 nëntor 2024 me vendim të gjyqtares Flojera Davidhi.