Ramës i ikën dhe një tjetër/ GJKKO dënon me një vit burg Kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla

2 Min Read

TIRANA- GJKKO ka dënuar me një vit burg kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla duke e shpallur fajtor për akuzat “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Dosja. raportoi ekskluzivisht më 27 dhjetor 2024 se në Rrogozhinë do të mbahen zgjedhje të reja për kryetar bashkie.

Ky vendim vinte pasi Prokuroria e Posaçme pak më herët kishte kërkuar që kryebashkiaku aktual Edison Memolla të dënohet me 1 vit burg. Gjithashtu SPAK kërkonte si dënim plotësues, edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. 

Prokuroria e Posaçme e akuzoi Memollën për korrupsion zgjedhor. Sipas SPAK, Memolla në zgjedhjet e pjesshme ndikon te Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

Xhamani u mor i pandehur për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Sipas SPAK, ai së bashku me të pandehurin Isuf Tosku, falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë abonentit debitor.  I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, u akuzua se i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati në ato zgjedhje të pjesshme lokale.

Share This Article
Leave a Comment