Partia Demokratike nuk ka ende një qëndrim ultimativ për kërkesën që të gjithë shtetasit shqiptarë me pasaportë të vlefshme të vendeve të BE, SHBA, Kanada të lejohen të votojnë me këto dokumente prej andej ku jetojnë.
Megjithatë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili drejton edhe grupin parlamentar, beson se pengimi i kësaj kategorie për të votuar ka lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve.
“Patjetër që po! Do të ishte njësoj sikur ne të bënim zgjedhjet pa mundësuar të drejtën e votës qytetarëve që jetojnë jashtë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se çdo shtetasi, aty ku është, do të duhet t’i mundësohet e drejta për të votuar. Dhe këta janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Kërkesat burokratike nuk mund të mohojnë një të drejtë kushtetuese”, u shpreh Gazment Bardhi për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
“Duke qenë se procedura për të marrë një dokment të ri është e tejzgjatur, kërkon kohë dhe shpenzim ditësh nga shtetasi shqiptar në emigracion, ne duhet ta shmangim këtë burokraci dhe të lejojmë që ata të ushtrojnë të drejtën e votës në distancë duke u identifikuar me pasaportën apo ID biometrike të shtetit ku jeton.
Bisedimet për këtë çështje sapo kanë nisur, por nga PS nuk duket se ka një vullnet për të përmbushur këtë kërkesë të demokratëve, të cilën e kanë cilësuar si një alibi për humbjen e pritshme.
Një argument për të cilin Gazment Bardhi ka edhe një përgjigje. “Nëse ne po e përdorim këtë për alibi, atëherë detyra e qeverisë është ta heqë këtë alibi, por unë besoj që ajo që duhet të prevalojë është që çdo shtetas i Republikës së Shqiërisë, i cili është në listën e zgjedhësve të RSH t’i mundësohet kjo e drejtë kushtetuese, duke hequr çdo burokraci dhe pengesë artificiale.
E drejta kushtetuese e votës nuk lidhet kurrë me burokraci dhe me dokumenta, por vetëm me elementin, nëse ky individ gëzon apo jo shtetësinë shqiptare”, theksoi zoti Bardhi në emisionin “Pa Censurë”.